Per eksperiencen me te mire perdorni Kolibri ne aparatin tuaj smartphone
Shkarkoni Kolibri ne:
Ambasadorja amerikanë në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley ka deklaruar se “pozicioni amerikan për Kosovën nuk ka ndryshuar, ajo mbetet vend mik i SHBA-së”. Haley i beri këto komente pasi u pyet nga gazetarët mbi qëndrimin e Washingtonit pas deklaratave të Këshilltarit për Siguri Kombëtare, John Bolton, i cili tha se “nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje, SHBA nuk e përjashtojnë rregullimin territorial”.
Ish-Kryeministri Berisha ka deklaruar se “Pazari me kufijtë është dhunim, cungim i integritetit territorial, sovranitetit dhe kushtetutës të Kosovës dhe një fitore spektakolare e serbomëdhenjve Vuçiç e Daçiç". Berisha thotë se “korrigjimi i kufijve”, është zhbërje e Kosovës dhe e të gjitha akteve ndërkombëtare dhe kombëtare të shtetësisë, pavarësisë dhe njohjeve të saj.
Asambleja e Përgjithshme e OKB është fushëbeteja diplomatike e radhës për Kosovën dhe Serbinë. Debatet nisin në 25 shtator dhe zgjasin deri në 1 tetor. Delegacioni i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, ka mbërritur tashmë në New York për atë që konsiderohet si mundësi e mirë që vendi të lobojë mbi çështjet në interes të tij. Pjesë e tij do të jenë edhe Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj.
Kryetari i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti ka konfirmuar se më 29 shtator do të mbahet protesta e thirrur nga partia e tij për të kundërshtuar idenë e Presidentit Thaçi, rreth korrigjimit të kufijve me Serbinë. Ai bëri thirrje që qytetarët t’i bashkohen protestës paqësore në Prishtinë. Lideri i VV-së tha se situata politike në vend është e rëndë dhe sipas tij aventurat personale të Thaçit, duhet ndalur.
Pas vendosjes se tarifës në “Rrugën e Kombit”, Qeveria e Kosovës po përgatitet që qarkullimi në autostrada e vendit të bëhet me pagesë. Zv/Ministri Rexhep Kadriu ka deklaruar se nga viti ardhshëm do fillojë studimi i fizibilitetit për vendosjen e tarifës për autostradën “Ibrahim Rugova”, që lidh Kosovën më Shqipërinë dhe premton se taksa rrugore do jetë e përballueshme për qytetarët e Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka deklaruar se është e domosdoshme që të arrihet një marrëveshje ligjore-obligative mes Kosovës dhe Serbisë, por që ajo të bëhet pa prekur kufijtë. Ai deklaroi se korrigjimi i kufijve rrezikon kthimin në të kaluarën tragjike, ndërsa bisedimet me Serbinë duhet të çojnë në njohjen e ndërsjelltë. "E kaluara jonë ishte tragjike. Plagët janë ende të hapura në vendin tonë”, tha Haradinaj.
Gjenerali Ljubisa Dikoviç është larguar zyrtarisht nga posti i shefit të Shtabit të Ushtrisë së Serbisë. Në vend të tij është vendosur Milan Mojsiloviç. Në një konferencë me gazetarët, Presidenti Vuçiç foli disa fjalë për biografinë e shefit të ri të ushtrisë. Ai përmendi një fakt se Mojsiloviç është i lindur në Kosovë. Në biografinë e Milan Mojsiloviç thuhet se ai ka lindur më 3 gusht 1967 në Mitrovicë.
Kryeministri Haradinaj dhe Ministri Klosi hapën zyrtarisht aksionin “Të pastrojmë Kosovën” në lagjen “Kalabria” që njihet si një nga zonat më të mëdha të ndotura në Prishtinë. Haradinaj falenderoi Klosin për praninë dhe mbështetjen në këtë aksion ndërkombëtar për të pastruar mbetjet e dy dekadave të mëparshme. Më herë Ministri Klosi zhvilloi një takim me homologun e tij Matoshi.
NATO ka deklaruar se mbështet zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mandatin aktual. Aleanca ka theksuar se nëse FSK duhet të zhvillohet, atëherë Këshilli i Atlantikut të Veriut do të duhet të rishqyrtojë nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë. NATO e shikon transformimin e forcave të armatosura të Kosovës në ushtri si një çështje që i takon autoriteteve të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj ka pritur në një takim Ministrin Bushati, me të cilin ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe Shqipëri. Gjatë takimit Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Shqipërisë për rrugën e integrimit euroatlantik, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, dhe në organizata të tjera të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare.
Trego më shumë