Per eksperiencen me te mire perdorni Kolibri ne aparatin tuaj smartphone
Shkarkoni Kolibri ne:
Zv/Ministrja Sorensen ka deklaruar se ekonomia shqiptare po krijon punësim me ritme të qëndrueshme. Në tremujorin e parë të këtij viti papunësia ra në 12.5%, çka sipas INSTAT, përbën nivelin më të ulët që nga shembja e regjimit komunist. Sipas Sorensen, pritshmëritë janë që punësimi në ekonominë shqiptare të vazhdojë të rritet, kryesisht nga sektori privat.
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për auditin e KESH për periudhën prill-dhjetor 2017, ngre shqetësimin e situatës financiare të shoqërisë. KLSH parashikon që për 2017, humbjet e shoqërisë të arrijnë deri në 7 mld lekë dhe çmimi i shitjes së energjisë nuk mbulon kostot. Sipas KLSH, shqetësuese janë edhe kreditë e marra nga KESH. Pas auditit, KLSH arrin në konkluzionin se KESH rrezikon të falimentojë.
Ministri Ahmetaj i është drejtuar me një letër të hapur komunitetit të biznesit, ku i kërkon që të bëjnë propozimet përkatëse lidhur me paketën fiskale që do të miratohet për vitin 2019. Në letrën e tij, Ministri thotë se në muajin qershor do të miratohen disa ndryshime ligjore që në thelb parashikojnë uljen e barrës së taksave në sektorin energjetik, shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor dhe agroturizmit.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur projektligjin e ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit. Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Ervin Koçi, bëri të ditur se ligji i ri pritet të mundësojë aplikimin e sistemit bonus-malus në sigurimin e detyrueshëm motorik, si edhe të rregullojë funksionimin e Fondit të Kompensimit për dëmet nga mjetet e pasiguruara.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia botërore është zhytur më thellë në borxh se përpara krizës financiare dhe vendet duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të përmirësuar financat e tyre. FMN tha se një periudhë e zgjatur e normave të ulëta të interesit kishte nxitur një rritje të borxhit me vlerë 225% të PBB-së botërore në 2016, 12 pikë mbi nivelin e mëparshëm të arritur në vitin 2009.
Tatimet kanë publikuar një material informues për biznesin lidhur me mbajtjen e regjistrave kontabile për qëllime tatimore. Personat e tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo të Tatimit mbi Fitimin, janë të detyruar të mbajnë llogari, regjistrime dhe regjistra për të gjitha ngjarjet dhe veprimet, në përputhje me dispozitat e Ligjit “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.
Qeveria ka dhënë një shtesë fondi prej 52 milion lekësh për Ministrinë e Kulturës, në kuadër të festimeve për vitin e Skënderbeut. Në vendimin e Këshillit të Ministrave, të marrë gjatë ditës së djeshme dhe të publikuar sot, bëhet me dije se fondi ndahet në dy zëra: në programin buxhetor “Trashëgimia kulturore dhe muzetë” dhe në programin buxhetor “Arti & Kultura”.
Muaji Mars është periudha më e zënë për ekonomistët pasi data 31 është afati i fundit për dorëzimin e bilancit dhe deklarimin dhe pagimin e tatim fitimit. Por këtë vit financierët do të kenë edhe disa ditë kohë, në rast se nuk arrijnë të mbarojnë brenda ditës së sotme. Për shkak të fundjavës dhe të festës së Pashkëve, afati final i deklarimit të bilanceve është shtyrë deri në datën 3 Prill.
Qeveria ka publikuar vendimin e rishpërndarjes së fondeve në buxhetin e vitit 2018, për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në zonat e përmbytura. Sipas këtij vendimi, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në programin buxhetor i pakësohet fondi prej 20 mln lekësh, fond ky që i shtohet Ministrisë së Mbrojtjes, për t’u përdorur për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë në Shkodër.
Qeveria ka miratuar disa ndryshime lidhur me pagesat për papunësinë. Sipas vendimit, të gjithë personat që ndërpresin aktivitetin si punëdhënës dhe të vetëpunësuar si dhe ata që largohen me dëshirë nga puna, nuk përfitojnë. Përfitime për këtë pagesë nuk do të kenë as ata që plotësojnë kriteret për pension pleqërie, invaliditeti apo familjar, paaftësi të përkohshme në punë apo sëmundje profesionale.
Trego më shumë