Per eksperiencen me te mire perdorni Kolibri ne aparatin tuaj smartphone
Shkarkoni Kolibri ne:
Universiteti “Luarasi” çeli sot vitin e ri Akademik. Rektori i këtij Universiteti, Et’hem Ruka u prezantoi studentëve të vitit të parë stafin drejtues dhe i uroi atyre shumë suksese në sezonin e ri shkollor. “Duam që diplomat tuaja të kenë vlerë mbasi të diplomoheni. Vitet kalojnë shumë shpejt, 5 vite do të kalojnë jashtëzakonisht shpejt, dhe do e shihni veten si juristë e ekonomistë”, ka cituar ai.
Sot ka nisur viti i ri akadamik për rreth 83 mijë studentë në ciklin e parë. Rreth 22 mijë prej studentëve do të ulen për herë të parë në auditoret e universitetit. Këtë vit janë hapur 103 programe të reja studimi, 49 në profesional dhe 54 në bachelor. Ndërkohë që për herë të parë mësuesia është renditur e treta në preferencat e maturantëve pas ekonomikut dhe shkencave sociale.
Deputetja Tabaku, ka sulmuar dje Qeverinë sa i takon zhvillimit të arsimit. Përmes një postimi në “Facebook”, ajo deklaroi se Qeveria ka ulur buxhetin për arsimin. “Në një kohë kur vendet e rajonit po investojnë në fushën e arsimit dhe zhvillimit arsimor, Qeveria e ka shpallur armik dijen dhe arsimin. Tashmë është praktikë e Qeverisë që të buxhetojë shumë herë më pak se sa Qeveritë e shkuara”, shkruan ajo.
Deputetja Tabaku ka deklaruar se Qeveria Rama nuk e do dijen dhe arsimin, pasi buxheti për këtë sektor është shumë herë më pak se Qeveritë e kaluara. “Kryeministri i cili përpiqet të shfaqë kulturën dhe civilizimin e tij për të mbuluar dështimin e tij në arsimin e lartë, nuk mund të fshehë dështimin e Reformës në Arsim. Një reformë që mbylli 130 shkolla, 20 degë dhe që shtyu të rinjtë të largohen”, tha ajo.
Presidenti Meta nisi sot një vizitë në Rrethin e Tropojës, duke bërë ndalesën e parë në fshatin Fierzë, ku mori pjesë në ceremoninë e inagurimit të rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Matosh Uka”. “Ndihem shumë i lumtur të marr pjesë në ceremoninë e rikonstruksionit të kësaj shkolle, që falë bujarisë së Qeverisë japoneze dhe kompanisë së Sigurimeve SIGAL, ka sot kushte plotësisht moderne”, ka cituar ai.
Ministrja Nikolla ka deklaruar se në prioritetin e objektivave është vendosur edhe investimi në fëmijërinë e hershme. Sipas Nikollës duke investuar në fëmijërinë e hershme, aq më i lehtë bëhet kalimi në klasën e parë. Ministrja gjithashtu tha se mësuesia është sot zgjedhje e tretë e maturantëve pas ekonomisë dhe shkencave sociale, ndryshe nga më parë që zgjidhej vetëm nga nxënësit e dobët.
Pavarësisht të gjithë vëmendjes së dhënë nga Qeveria arsimi profesional duket se po përballet me një sërë vështirësish. Zv/Ministrja Dajna Sorensen, pranoi që pavarësisht rritjes së numrit të ndjekjes së arsimit profesional përsëri ka vështirësi në gjetjen e tregut të punës. Ndërkohë që theksoi se ka një dyndje të kërkesave për degën e hoteleri-turizmit.
Rama ka dhënë lajmin se në 150 shkolla të vendit do të vendosen oficerët e sigurisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë. “Ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme të konfirmuara nga komuniteti i mësuesve, prindërit dhe policia e shtetit në 15 shkolla. Ai do të shtrihet në 150 shkolla dhe do të fillojnë nga puna 150 oficerë sigurie të trajtuar për këtë program”, ka cituar ai.
Shqipëria bëhet vendi i parë në BP që pajiset me një laborator të lëvizshëm për nxënësit shqiptarë. “FiKiBio” është laboratori që Ministria e Arsimit ka marr si dhuratë nga Qeveria gjermane, nëpërmjet këtij autobusi lëvizës me mjetet më të fundit teknologjike, fëmijët në shkolla të ndryshme të vendit do të mund të eksperimentojnë fenomene dhe dukuri natyrore të cilat i mësojnë në teori në librat shkollorë
Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë organizon aktivitetin “AADF Partneri Strategjik në Arsim”. Në ceremoni ishte i pranishëm dhe Kryeministri Edi Rama, i cili deklaroi se baza e dijes është shkolla dhe se 5 vite më parë sistemi ishte i korruptuar dhe i kalbur dhe u transformua nga kjo Qeveri.
Trego më shumë