Per eksperiencen me te mire perdorni Kolibri ne aparatin tuaj smartphone
Shkarkoni Kolibri ne:
Kancelari austriak, Kurz, gjatë vizitës së tij në Beograd, ka pohuar se është e rëndësishme që dialogu me Prishtinën jo vetëm të vazhdojë, por edhe të përfundojë me sukses. Sipas tij, kjo është mënyra e vetme për anëtarësimin e Serbisë në BE. "Është një mundësi unike që historia të mbetet histori dhe së bashku të ecim drejt së ardhmes", citoi Kurz në konferencën e përbashkët për media me Vuçiç.
Ambasadorja e Kanadasë në Serbi, Katie Caba ka thënë se vendi i saj e mbështet dialogun Beograd Prishtinë. “Ne shpresojmë që ky proces të përfundojë sa më shpejtë që të jetë e mundur. Sa i përket demarkacionit nga perspektiva e dikujt që vjen nga një vend multikulturor, nuk mendoj se gjetja e një kufiri etnik është domosdoshmërisht zgjidhja më e mirë për arritjen e një marrëveshjeje”, ka cituar ajo.
Vendet perëndimore po i kërkojnë Serbisë të pezullojë një fushatë diplomatike që me sukses po arrin të ndikojë në shtetet që e kanë njohur Kosovën”. Kështu ka deklaruar për “Novosti”, Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç duke theksuar se për këtë është ankuar pala kosovare. Për lobimin e Serbisë kundër Kosovës ka reaguar MPJ e cila ka kërkuar nga Bashkimi Evropian t’ia tërheq vërejtjen shtetit fqinj.
Kancelari austriak Kurz, pritet që mbrëmjen e sotme të arrijë në Kosovë. Ai pritet të takohet me Presidentin Thaçi si dhe Kryeministrin Haradinaj. Referuar burimeve, temat të cilat do të diskutohen në këto takime janë: Çështja e dialogut Kosovë-Serbi, perspektiva evropiane e Kosovës si dhe çështja e formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Sipas ekspertëve, Parlamenti i Kosovës ka dështuar të harmonizojë rezolutën lidhur me dialogun me Serbinë. Sipas tyre, rezolutat dhe platformat për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jenë detyruese për asnjë institucion. Deri më tani asnjë propozim nuk e ka marrë miratimin e Kuvendit. Kjo vjen si pasojë e mungesës së konsensusit dhe unitetit politik.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk kanë miratuar rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Rezoluta e LDK e përkrahur nga Lëvizja Vetëvendosje, mori 50 vota nga 90 deputetë që ishin në sallë. Deputetët e LDK dhe VV lanë sallën, raporton Kosova Press
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli deklaroi se liberalizimi i vizave mund të shtyhet edhe për një vit. Gjithashtu ai ka theksuar se qytetarët kosovarë duhet të besojnë tek BE-ja. “Jam nga njerëzit më kritik, por unë i besoj BE-së. Kam për t’iu besuar gjithmonë, sepse me ta kemi arritur deri këtu”, ka cituar Veseli.
Prokurori i Specializuar do të vizitojë Kosovën për herë të parë. Mësohet se ai do të zhvillojë takime me Krerët e organizatave ndërkombëtare, përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dhe me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë”. Megjithatë ende nuk është bërë e ditur data se kur Smith do të vijë në Kosovë.
Presidenti Thaçi, me ftesë të Presidentit Erdogan, sot ka udhëtuar drejt Stambollit për të marrë pjesë në ceremoninë hapëse të aeroportit të ri në Stamboll. Pjesë e ceremonisë së hapjes së këtij aeroporti do të jenë krerë shtetesh dhe krye-diplomatë nga vende të ndryshme të botës. Hapja e aeroportit të ri të Stambollit përkon me në Ditën e Republikës së Turqisë.
Pas deklaratave të Rusisë lidhur me krijimin e ushtrisë së Kosovës, vjen reagimi nga Zv/Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani. Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka pohuar se në asnjë rrethanë Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, duke përfshirë edhe FSK-në, nuk paraqesin kërcënim. Sipas tij, rajoni do të përfitojë nga tranzicioni i FSK-së.
Trego më shumë