Thoma Mostora është autori i vrasjes së dyfishtë të shënuar pak ditë më parë në fshatin Bodrishtë të Dropull, ku një çift të moshuarish u gjetën të pajetë në oborrin e shtëpisë.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, Ardian Çipa, për media tha se autori është edhe bashkëfshatar i të moshuarve.
Sakaq, bëhet me dije se Thoma Mastora nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi edhe më parë ka qenë i dënuar për vjedhje.
69-vjeçari dyshohet se ka goditur me sende të forta dhe mjete prerëse Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe, duke u shkaktuar vdekjen.
Ngjarja e rëndë dyshohet se ka ndodhur për shkak të një konflikti të çastit, por edhe mosmarrëveshjeve që autori ka pasur me 84-vjeçarin prej disa kohësh.
Ditën që ka ndodhur ngjarja autori ka shkuar në shtëpinë e viktimave dhe ka pirë kafe, në diskutim e sipër kanë nisur të debatojnë dhe konflikti ka degraduar në dhunë, ku 69-vjeçari i ka goditur të dy për vdekje.
“Ata ishin goditur me sende të forta. Nga kontrolli në banesë u arrit që të gjendeshin dhe një vlerë prej 5 milionë lekësh të reja. 35 persona u shoqëruan, u kryen vlerësime dhe eksperimente hetimore. U arrit të sqarohej dokumentimi i kësaj ngjarje dhe të identifikohej autori. Autori i këtij krimi Thoma Mastora, 69 vjeç, banues në këtë fshat, i dënuar më parë”, tha Çipa ndër të tjera.
Kujtojmë që çifti i të moshuarve Kosta Ilia 84 vjeç dhe Kleoniqi Ilia 88 vjeçe u gjetën të vdekur mëngjesin e datës 2 Maj në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Bodrishtë të Dropullit.