Një aksident i rëndë automobilistik ka marrë jetën e një çifti shqiptar në Greqi. Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën “Egnatia”, në aksin Veria – Selanik, pranë Kouloura Imathias. Furgoni me targa PMX-8942, i drejtuar nga shtetasi grek, Marios Simitliotis, 47 vjeç, u përplas me automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa shqiptare AB 454 GF, që drejtohej nga 75-vjeçari shqiptar, Ali Bushi.
Si pasojë e përplasjes, humbën jetën 75-vjeçari Ali Bushi dhe bashkëshortja e tij, 71-vjeçarja Bukurije Bushi.
I plagosur lehtë mbeti shtetasi grek, i cili është arrestuar nga policia greke.
Dy viktimat ishin prindërit e Alban Bushit, ish-futbollistit të Kombëtares Shqiptare dhe aktualisht trajner i Kombëtares U-21.