Pinte kafe me Enver Hoxhën por u pushkatua menjëherë pas çlirimit, tani figuron i gjallë dhe pasardhësit ndihen ende të përndjekur.
Historia shqiptare pas çlirimit të vendit në vitin 1945 e derisa ishte në fuqi rregjimi komunist njeh një aradhë figurash të spikatura që u bënë kurban e ekzistencës së atij sistemi. Më saktë u sakrifikuan së vdekuri e së gjalli për pushtetin diktatorial të Enver Hoxhës.
Asllan Pajazit Bejko është një prej këtyre figurave . I lindur në vitin 1895 kreu Akademinë Ushtarake në Romë. Më pas shërbeu në Kostur, ku për shkak raprezaëjeje u shpërngul në fshatin Nikolicë të Devollit dhe pati banesë edhe në Korçë, diku aty pranë Bankës Kombëtare Tregtare.
Pasardhës të Asllan Pajazit Bejko, tregojnë se në kohën e mbretërisë në Shqipëri, ka shërbyer si komandant xhandarmarie në Korçë. Sipas tyre, pikërisht në këtë kohë shoqërohej me Enver Hoxhën, asokohe profesor në Liceun francez.
Fill pas çlirimit të vendit gjithçka u përmbys edhe për fatin e Asllan Pajazit Bejko. Fillimisht u burgos, aty ku sot është bashkia e vjetër e qytetit, dhe në vitin 1945 u pushkatua me pranga në duar.
Të afërmit, duke ju referuar dëshmive pretendojnë se fjalët e fundit të Asllan Pajazit Bejko para pushkatimit kanë qënë: ‘Ftoftë Korça!’
Shtëpia në Korçë ju shkatërrua, pronat të gjitha ju sekuestruan, ndërsa kalvari i vuajtjeve ndoqi të gjithë farefisin e afërt. ‘ Gjithë jetën e kemi kaluar si të përndjekur’ shprehet një nga pasardhësit, që nuk do të identifikohet, a thua se hija e kësaj përndjeljeje nul i ndahet edhe sot e kësaj dite.
Dhe, në fakt, një lloj përndjeljeje vazhdon. Sepse Asllan Pajazit Bejko nuk figuron i vdekur (pushkatuar) me dokumentacion, e rrjedhimisht rezulton i gjallë.
Gjykata e Faktit Korçë, para disa vitesh e ka njohur formalisht këtë fakt, ndërsa në regjistrin themeltar të Gjendjes civile Asllan Pajazit Bejko mbetet i gjallë.
Falë edhe kafes që pati pirë me Enver Hoxhën…