Nisur nga fakti se zona e Korçës karakterizohet nga një mot i ftohtë, prej disa vitesh është bërë e mundur falë një vendimi në Këshillin Bashkiak për shtimin e periudhës dimërore me 1 muaj, duke e shtrirë atë nga 1 nëntori deri në 31 mars.
Sipas këtij vendimi në të gjithë bashkinë e Korçës është shpërndarë lënda djegëse për shkollat dhe kopështet, ndërsa mësohet se në shumicën e këtyre institucioneve ka nisur ngrohja.
Drejtoria Mbështetëse e Arsimit dhe Çerdheve, ka nën administrim 76 institucione arsimore, në qytet dhe në fshatrat e bashkisë së Korçës, ku pjesa më e madhe e tyre kanë ngrohje me dru zjarri, ndërkohë që pjesa tjetër me kaldaja me naftë dhe me gaz.
Këtë vit falë investimeve të kryera në dy kopështe në qytetin e Korçës, përkatësisht në kopështin 10 dhe 12 është mundësuar kalimi nga ngrohja me dru dhe korrent në ngrohje me kaldaja me gaz.
Edhe në 7 shkolla të tjera në qytet të cilat ngrohen me kaldaja me naftë po kryhet vlerësimi për të mundësuar ndryshimin e tyre në kaldaja me gaz i cili është konsideruar më efektiv dhe më ekonomik.