Prej 12 vitesh në Shqipëri vijon të jetë në fuqi monatoriumi që ndalon çdo aktivitet të lidhur me gjuetinë, me qëllim mbrojtjen e faunës së egër dhe frenimin e rënies së numrit të kafshëve dhe shpendëve. Por në qarkun e Korçës, qindra gjuetarë të licencuar kërkojnë rishikimin e kësaj mase që e konsiderojnë të tejzgjatur dhe joefektive. Paqësor Gorellari, sekretar i Shoqatës së Gjuetarëve në Pogradec, thekson se ndalimi nuk ka frenuar gjuetinë abuzive, përkundrazi ka lehtësuar terrenin për persona të paautorizuar që veprojnë jashtë çdo kontrolli.
Aktualisht, vetëm në rrethin e Pogradecit janë të regjistruar rreth 250 gjuetarë të pajisur me leje, ndërsa në të gjithë qarkun e Korçës kjo shifër arrin në afro 1300. Prej më shumë se një dekade ata nuk kanë pasur mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre, pavarësisht premtimeve të përsëritura për hapjen e sezonit të gjuetisë.
Gjuetarët kërkojnë që ndalimi të mos zgjatet më tej dhe të hartohet një strategji e re që lejon gjuetinë e kontrolluar për disa specie, duke respektuar parimet e ruajtjes së natyrës. Sipas tyre, është dhënë një garanci se nga muaji shtator 2025 do të mund të lejohet gjuetia për disa lloje shpendësh dhe kafshësh të egra, por deri më tani mungon çdo vendim zyrtar në këtë drejtim.


