Histori suksesi, Kolegji Preka feston 30 vjetorin
Kolegji Preka, i njohur ndryshe si Malta në qytetin e Korçës është një nga kolegjet më të suksesshëm në Shqipëri e këtë e ka treguar me nxjerrjen e të rinjve të cilët sot janë në pozicionet më të rëndësishme botërore.
Mësuesi i këtij kolegji, Klajdi Pllaha iu është drejtuar kështu nxënësve që sot studiojnë aty
Në fillimet e viteve ’90, pas hapjes së kufijve, shumë shoqata humanitare ndërkombëtare u afruar në Shqipëri për të ofruar ndihmën e tyre popullit Shqiptar. Ndër to, në qytetin e Korçës ishin dhe SOS Albania, Motrat e Nënë Terezës dhe Shoqata e Doktrinës së Krishterë M.U.S.E.U.M. Kur varfëria e lënë pas nga vitet e komunizmit kërkonte ndihma ekonomike, Bashkia Korçë dhe Drejtoria Arsimore Rajonale e kohës, paten vizionin të kërkonte si ndihmë hapjen e një shkolle që do të formonte studentë të ardhshëm për universitetet vendase dhe të huaja, për të formuar të rinj më të ngjashëm me të rinjtë e Europës drejt të cilës kërkonim të shkonim. Parë sot, mbas 30 vjetësh kjo kërkesë, kuptojmë se pavarësisht vizionit të tyre mbase as ata vetë nuk e kuptuan se po hidhnin një hap që do ndryshonte arsimin në qytetin e Korçës dhe jetën e tashmë 1500 të diplomuarve nga kjo shkollë.
Shoqata e Doktrinës të Krishterë pranoi ftesën, dhe të frymëzuar nga themeluesi i tyre Shënjt Gjergj Preka, dërgoi në Korçë në Prill të 1993 tre misionarët e parë: Vincent Mangani, Carmel Camilleri dhe Gaetano Carruana.
Në 15 Korrik 1993 nënshkruhet marrveshja mes M.U.S.E.U.M dhe Bashkisë Korçë, ku I vihet në dispozion godina ku vazhdojmë të jemi dhe sot. Pas përzgjidhjes së një stafi mësuesisht profesionistë dhe të përkushtuar në edukim, mbahet konkursi i pare I pranimit në shkollë.
Në Shtator 1993 shkolla hap dyert për 50 nxënësit e parë, nën drejtimin e drejtorit Z. Vincent Mangani. Në 1994 shkolla mirëpret vizitën e Presidentit Maltez, që vlerëson Kolegjin Preka si një urë lidhëse mes dy vendeve. Në 1996 shkolla pranohet në programin ndërkombëtar arsimor I.B International Baccalaureate, status që për fat të keq e humbet pas shkatërrimit që shkolla pësoi në vitin e mbrapshtë 1997. Çmenduria kolektive e asaj kohe nuk kurseu as shkollën tonë, e cila u vodh dhe shkatërrua barbarisht. Stafi maltez u detyrua të largohet sërisht në Maltë. Një komitet prindërish e mësuesish të shkollës u përpoqën të shpëtonin çfarë kishte ngelur pa u prekur nga shkolla, dhe ta rikostruktonin atë për të bërë të mundur rifillimin e mësimit. Shkolla do ju jetë atyre përjetë mirënjohës. Prindërit, mësuesit dhe qytetarët Korçarë dërgonin letra dhe luteshin administratorve maltezë të riktheheshin e rihapnin Kolegjin.
Në një nga letrat mësuesi Anesti Treska i drejtohej drejtuesve të Shoqatës si më poshtë: “Dua t’ju informoj se nga prindërit po bëhen përpjekje për të bërë gati shkollën për fillimin e mësimit, po bëjmë dyert e klasave dhe instalimet hidrosanitare. Kemi përfunduar instalimet elektrike, kemi siguruar tavolina dhe karrige për nxënësit dhe kemi shpëtuar një pjesë të librave.
Ju lutem nuk duhet ta abandonojmë Kolegjin Preka. Jam I sigurt se ai do të jetojë bashkë me ne”
Dhe në fakt Kolegji mbijetoi. Shkolla u rihap dhe në 1997 maturantët e parë u diplomuan nga ky kolegj. 3 përfaqsues të shoqatës malteze u rikthyen në Shqipëri e vazhduan misionin e tyre që vazhdon edhe sot.
Ndër vite shkolla jonë ka përmirësuar vetveten për të ofruar një ambjent në shërbim të një edukimi cilësor. Falë ndihmës të madhe që Shoqata Renovabis Gjermani ka dhënë ndër vite, shkolla u rikostruakuar plotësisht në vitin 2001 duke shtuar 3 klasa të reja, palestra ku jemi dhe sot si dhe fushën sportive. Së fundmi kjo shoqatë ka ndihmuar në termoizolimin e shkollës dhe shtimin e eficiencës energjitike. Laboratori i informatikës, prezent në shkollë nga viti i parë 1993 është rinovuar disa herë, në 1997, 2005 dhe 2018 falë kontributeve të ish-nxënësve të kolegjit, për të qënë gjithmonë me hapin e kohës. Laboratori i Bio-Kimisë I shkatërruar plotësisht gjatë vitit ’97 u ngrit nga fillimi në vitin 2007 me një laborator modernt të Kimisë, Biologjisë dhe Fizikës, sërisht falë ndihmës të shoqatës Renovabis.
Por sigurisht, ambjenti nuk është i vetmi faktor i arritjeve të shkëlqyera të nxënësve ndër vite. Stafi akademik, i përzgjedhur me rigorozitet nga administrata malteze ka qënë gjithmonë i përkushtuar ndaj nxënësit, duke e vënë atë në qëndër të edukimit. Nga mësuesit e parë të 93shit nuk ka mbetur më asnjë, por stafi i ri ka trashëguar të njëjtin pasion për mësimdhënien dhe të influencuar nga administrata malteze kanë fituar një kulturë pune që jep rezultate.
Shumë mësues kanë erdhur e janë larguar, po ashtu dhe shumë misionarë nga shoqata malteze. I vetmi që për 30 vjet nuk është ndarë kurrë nga shkolla është drejtori administrative aktual i kolegjit Z. Carmel Camilleri, i njohur nga të gjithë si Mr. Charli. Ndër vite emri i tij është unifikuar me atë të Kolegjit Preca dhe është kthyer në shembull e burim motivimi për nxënës e mësues të shkollës. Mirënjohja që gjithë qyteti ndjen për të dhe për përulsinë me të cilën vazhdon misionin e tij, u shpreh me akordimin e titullit Qytetar Nderi në Nëntor 2011 me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në krijimin e modelit shumë të sukseshëm të Kolegjit Preka, që ka nxjerrë breza nxënësish të shkëlqyer dhe i ka edukuar me komunikimin, sjelljen, bashkëpunimin e tolerancën qytetare europiane”
Në 30 vite të këtij kolegji ka pasur vërtet sfida e vështirësi por arritjet e nxënësve tanë kanë qënë të shumta. Prej fillimit të shkollës, të diplomuarit tanë janë pranuar në Universitetet më të mira në botë, duke dhënë rezultate të larta e janë tashmë profesionistë të aftë në fushat përkatëse. Prej vitit 2006 kur maturantët tanë filluan të merrnin pjesë në provimet e Maturës Shtetore, kanë arritur gjithmonë rezultate të larta dhe shkolla është renditur çdo vit ndër shkollat më të mira në Shqipëri. Edhe vitin e fundit, Kolegji Preka ka zënë vëndin e dytë në republikë nga rezultatet e matures Shtetore.
Ndër vite nxënësit tanë kanë marrë pjesë në olimpiadat e ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, duke treguar talentet dhe punën këmbëngulëse të tyre në fushat përkatëse. Disa prej nxënësve tanë dhe janë vlerësuar me medalje ari për rezultatet e arritura.
Për të arritur këto rezultate ka ndikuar puna e palodhur e nxënvsve dhe mësuesve, por dhe sistemi i vetë shkollës që përzgjedh nxënësit me një konkurs hyrës. Sistemi i provimeve të shkollës, traditë e shkollës prej fillimit, vitet e fundit është adaptuar në gjithë shkollat e vendit. Prej vitit 2008 shkolla krijoi websajtin e saj dhe brenda tij një platformë ku informonte prindërit në kohë reale për notat e nxënësve. Këto e shumë të tjera kanë bërë që Kolegji Preka të jetë një shkollë që vendos standardet e arsimit në Shqipëri, dhe që arrin rezultate të larta gjithmonë.
Këto arritje të nxënësve vlerësohen çdo vit në ditën tone të çmimeve, ku nxënësit e dalluar vlerësohen për arritjet e tyre, dhe të tjerët stimulohen për të punuar edhe më shumë. Kjo ditë është traditë e shkollës prej vitit të parë të hapjes, dhe perveç vlerësimit të arritjeve shkollore kthehet në një festë të vërtetë dhe evidenton talentet artistike të nxënësve tanë.
Përgjatë vitit shkollor, nxënësit tanë jo vetëm organizojnë Prize Day, dhe koncerte të tjera festive, por zhvillojnë eskursione educative, kulturore brenda dhe jashtë vendit, dhe marrin nisma me impakt social. Ndër vite ata vullnetarisht kanë ndihmuar në shtëpia e Foshnjave, kanë mbledhur ndihma për të moshuarit e vetmuar, janë angazhuar në aksione për pastrimin e territorit e mbjellje pemësh.
Krahas procesit mësimor, ne besojmë se këto aktivitete formojnë tek nxënësit tanë ato vlera njerzore, universale dhe plotësojnë misionin për të cilin u hap kjo shkollë: për të formuar “Qytetarë të denjë të së ardhmes”