Kohët e deliromëdhenjve kur qyteti rrudhet nga 55 000 banorë në 40 000 banorë në vetëm 11 vite të vlerësimit statistikor, lipsen të jenë të duruara për të dëgjuar edhe mufkat zotonjëse të shkëlqesive të tyre, që mëtojnë të ngrejnë gjasmë Universitete Botërore mú aty ku Universiteti po lëngon- lëngim ky si tregues i krejt gjendjes shoqërore dhe bjerrjes së kulturës institucionale; që do na rikthekan Liceun Francez, pikërisht kur shkollat profesionale bien erë aprofesionalitet, në mungesë të vizionit dhe paaftësisë për ta lidhur energjinë rinore me zanatet; që do na ndërtokan pistë skish kur nuk po bie më dëborë, që trumbetojnë që do u bashkokemi evropianëve- të cilët për hir të së vërtetës po u mëshojnë përherë e më shumë energjive të rinovueshme-, ndërsa shkëlqesitë tona do na sjellkan gazin me pahir, pikërisht kur çmimet e gazit metan në Evropë po rriten ndjeshëm.
Shumë të duruara paskërkan qenë këto kohë, madje edhe paradoksale sepse kur Kryeministri është doktor spitalet dhe shërbimi spitalor thuajse ngelen në vendnumuró. Kur Kryeministri është artist, Arti dhe Kultura u kthekan në funksion spektaklesh të ngushta e të cekëta dhe ironish të gjera e të thella- aq sa qytetit të rrudhur të kulturës së rrudhur, në njërën anë i premtojnë paturpësisht ngritjen e një Orkestre Filarmonike alla vieneze dhe në anën tjetër, instrumentistëve të Orkestrës së Harqeve të Korçës, kësaj vlere kaq shumë të dashur nga publiku, u japin një shpërblim aspak të dinjitetshëm, sa porcioni i ndihmës ekonomike.
Iduan edhe siç janë vetë, të nënshtruar me metoda otomano-bizantine. Me sy të errësuar, aq sa mos kuptojnë se ç’është dhe ç’do artisti.
Kohë zamirakitikësh.