Korça humbet një studiues, ndahet nga jeta intelektuali vakëflli Vladimir Dino.
Një intelektual korçar si Vladimir Dino me pasion studimin e historisë është ndarë nga jeta. Lajmin e trishtë e bën të ditur miku i tij Petrit F. Zeneli, duke përcjellë nëpërmjet rrjeteve sociale një dedikim të ndjerë.
‘E pamundur të pasqyroj gjithë kontributin që ju kini dhënë si inxhinier, si intelektual dhe si qytetar model për Korçën e gjithë vendin, por për origjinën tuaj (Panaritin) dhe Krahinën e Vakëfeve, e kam më të lehtë.
Ndonëse me profesion inxhinier, ju me një pasion të jashtëakonshëm, ashtu si biri tjetër i Panaritit prof. Sejdin Ramo, ia shkrojtët historinë asaj treve, me guximin, gjakftohtësinë dhe saktësinë që kërkon shkenca e historiografisë, sikurse një vepër inxhinierike.
Dhe gjithë këtë punë, që do e kishte zili çdo studiues i historisë, na e latë kujtim në një libër plot vlera, të titulluar “Qyteti i Korçës, Zanafilla”. Gjatë gjithë kohërave të historisë, Panariti ka nxjerrë djem të shquar, i miri Ladi, e njëri prej tyre jeni dhe ju.
Lamtumirë o Vakëflli me emër, o trashëgimtar i një familje të madhe, o atdhetar që u krenove tërë jetën me historinë e kombit, Korçës dhe origjinës tënde!
Të premtojmë se do ta vazhdojmë pa u lodhur punën tuaj studimore, me të cilën shkruat pavdekësinë, do t’u referohemi kurdoherë, mbeteni përjetë në zemrën tonë, lamtumirë, Ladi, lamtumirë..!’ ka shkruar Petrit F. Zeneli.