Kjo është Ana Komini, ikonografja e vetme në Kolonjë. Artistja çdo ditë të saj i ka kushtuar pikturës dhe ikonografisë, teksa sot numëron me qindra punime.
Gjithçka nisi pas përfundimit të studimeve por edhe frymëzimit nga ekspozitat e artit që mbaheshin në kohën e komunizmit në Kolonjë.
“Në qytetin e Ersekës ku jam lindur dhe rritur fillova punë por jo në specialitetin tim por edukatore. Mbaheshin ekspozita në rrethin tonë me piktorët. Por është e veçantë që jam gruaja e parë piktore e Kolonjës dhe si ikonografja e parë, pavarësisht se merrem dhe me gjëra të tjera, pirografi, suveniere dhe bizhu të ndryshme”, tha ajo.
Arti i ikonografisë është një nga më të vështirit, i cili kërkon kohë e pasion për t’u finalizuar në një punë të veçantë.
“Është krejt tjetër, akt me vete ikonografia nga pikturat. Në pikturë e hedh shpejt e shpejt penelin, dhe mbrohet për dy orë, por pikturat bizantine duan kohë, qetësi.
E veçanta është se për të mbaruar një pikturë kaq të vogël unë arrij të bëj 20 piktura, duhet të përqendrohesha dhe ikonat duhet të gjesh dru e duhur, nuk punohet me pishe e bredh.
Druri punohet me të verdhën e vezës, ujë, shkrihet dhe del ngjyra e bukur”, tha ajo.
Turistët e shumtë që vizitojnë Kolonjën janë blerës të përhershëm të punëve të dala nga duart e kësaj artiste.
“Më shumë duan peisazhe me pirografi, Ersekën, suveniere ose bizhu me qeramikat janë të objekteve arkeologjike që i kanë gjetur në rrethin e Kolonjës dhe i kam vizituar”, përfundoi ajo.
Frymëzimi i Anës vjen nga dashuria që ka për qytetin ku ajo jeton, teksa kërkon që këtë zanat t’ua lërë trashëgimi edhe fëmijëve e nipërnjve të saj.