Mediat greke kanë publikuar pamjet e vrasjes së 28-vjeçarit shqiptar Denis Loka nga dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Enis Loka 17 vjeç dhe Aleksandros Loka 19 vjeç.
Të rinjtë janë takuar rreth orës 22:50 të mbrëmjes së të hënës në kryqëzimin e rrugëve “Hanion” dhe “Patision” në Kipseli të Athinës. Në video dy vëllezërit janë regjistruar duke sulmuar me grushta dhe shkelma 28-vjeçarin, ndërsa ai tentoi të mbrohej dhe të arratisej. Vëllezërit vazhdojnë ta ndjekin dhe ta rrahin.
Ata e kanë goditur me thikë 28-vjeçarin dhe e kanë lënë në mes të rrugës deri sa e ka gjetur policia të gjakosur në rrugë, me plagë me thikë në qafë dhe në bark. I riu është transportuar me urgjencë në spitalin “Evagelismos” por aty ndërroi jetë.
Kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorëve, por pas një ore dy vëllezërit janë paraqitur në komisariatin e Kipselit dhe janë dorëzuar me 17-vjeçarin që ka marrë përsipër autorësinë e krimit.
Dy vëllezërit shqiptarë me nënshtetësi greke kanë pohuar në polici se viktima i abuzonte seksualisht. Konkretisht, ata dyshohet se kanë thënë se kur jetonin ende në Shqipëri dhe ishin fëmijë të vegjël, kushëriri i tyre 28-vjeçar i ka abuzuar seksualisht. Kur erdhën në Greqi u përpoqën ta harronin. Mirëpo, ditët e fundit ai kishte mbërritur edhe në Greqi dhe ata kur e panë vendosën ta vrasin.