Edhe këtë vit familja Fezollari në Pogradec ka shpërndarë ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Ky është viti i 25-të që kjo familje në festat e fundvitit iu gjendet banorëve të qytetit dhe fshatrave në periferi.
Këtë vit kjo familje ka shpërndarë më shumë se 1 mijë pako me ushqime të shportës duke iu krijuar mundësinë familjeve me të ardhura të pakta ekonomike të gëzojnë si gjithë të tjerët Vitin e Ri.
Bajram Fezollari njëri nga pjesëtarët e familjes së njohur pogradecare tha se ky është amaneti i babait të tij, amanet të cilin do ta transmetojmë edhe tek brezat e tjerë të familjes tonë.
Edhe kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli ka falenderuar familjen Fezollari për humanizmin e tyre ndaj familjeve në nevojë, familje të cilat kanë edhe kujdesin e institucionit që ai drejton. Kryetari i Bashkisë ka ftuar edhe biznesmenët e tjerë të kësaj bashkie tu gjenden pranë familjeve të tilla në ditë festash.
Qytetarët pogradecarë kanë shprehur falenderimin e tyre për familjen Fezollari për këtë gjest kaq human në prag të ndërrimit të viteve.



