Në Njësinë Administrative Udënisht ka nisur prej pak kohësh një investim të rëndësishëm për ndërtimin e sistemit të kanalizimeve për ujërat e përdorura, një projekt që pritet të përfundojë brenda 15 muajve nga nisja e punimeve.
Punimet u inspektuan personalisht nga Kryetari i Bashkisë, Ilir Xhakolli, i cili ndoqi nga afër progresin e punimeve dhe ritmin e realizimit të këtij investimi madhor.
Aktualisht janë realizuar mbi 30% e punimeve, që përfshijnë ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve dhe dekantuesve.
Ky investim do të sjellë zgjidhje përfundimtare për problemet e ujërave të ndotura në fshatrat Udënisht, Mëmlisht, Piskupat, Lin, Buqezë, Pole, Gur i Kuq dhe Çervenakë, duke eliminuar ndotjen që për vite me radhë ka prekur liqenin dhe familjet e zonës.
Pas përfundimit të këtij projekti madhor, do të vijojnë edhe ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore për të gjitha fshatrat e përfshira.
Xhakolli thekson se përmes këtyre investimeve në qytet, Njësinë Buçimas dhe tashmë në Udënisht, synohet që në liqen të mos derdhen më ujëra të përdorura, duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe një mjedis të pastër për banorët.


