Shqipëri e Sylvinhos po bëhet gjithnjë e më shumë ‘braziliane’, teksa edhe pse thjesht një miqësore, ndaj Bullgarisë vjen një tjetër gol spektakolar nga distanca.
Këtë herë ishte Ernest Muçi, që pasi studiou nga pankina Asanin e Bajramin për disa ndeshje radhazi, si një nxënës i mirë, tregoi se mund të shënojë edhe ai gola spektakolarë.
Një goditje perfekte nga më shumë se 25 mera distancë, që përfundoi në cepin e portës së Bullgarisë, vulosi suksesin 2-0 të Shqipërisë, që më herët kishte zhbllokuar sfidën me një tjetër aksion të bukur, të finalizuar nga Qazim Laçi.
Kjo ishte ndeshja e pestë radhazi me fitore në “Air Albania” dhe e pesta pa pësuar gol për kuqezinjtë…
Ishte një ndeshje miqësore, ku natyrisht që skuadra tregoi se ka ende shumë elementë për të përmirësuar, por Sylvinho mori një tjetër konfirmim, që talenti dhe cilësitë teknike te kjo Shqipëri nuk mungojnë dhe madje janë me bollëk në të gjithë repartet.
Shqipëri-Bullgari 2-0 (Laçi 41′, Muçi 81′)
- Në minutën e 81′ nuk munguan supergolat te kuqezinjtë, teksa këtë herë është Ernest Muçi, që shënon një gol spektakolar me goditje nga distanca.
- Në minutën e 53′ një kundërsulm i bukur i kuqezinjve, por Asani e tepron me egoizmin dhe injoron Uzunin që ishte i vetëm. Përfundon keq një aksion që mund të sillte golin e dytë dhe Sylvinho thërret në pankinë Asanin, për ta zëvendësuar me Çunin…
- Në minutën e 50′ ka tension në fushë mes Asanit dhe një bullgari, teksa arbitri i ndëshkon të dy me të verdhë…
- Në minutën 41′ Qazim Laçi u jep avantazhin kuqezinjve. Por çfarë bën Mario Mitaj, që lëviz në mënyrë perfekte shërben për Uzunin dhe më pas topi shkon te Laçi, që e ka të lehtë ta shtyjë në rrjetë.
- Në minutën e 34′ aksion i bukur i kuqezinjve, që konkretizohet me një goditje diagonale të Muçit, por pret në dy kohë portieri bullgar…
Trajneri Brazilian ka ndarë mendjen për formacionin që do të hedhë në fushë, teksa krahasuar me ndeshjen ndaj Çekisë në eliminatore, ka bërë 6 ndryshime në 11-shen e titullarëve.