Per eksperiencen me te mire perdorni Kolibri ne aparatin tuaj smartphone
Shkarkoni Kolibri ne:
Kryeministri Rama ka shkruar se sot në Bruksel vijon takimi me krerët e shteteve të vendeve anëtare të NATO-s. “Pas takimeve mbrëmë, me Përfaqësuesen e Lartë të BE, Mogherini dhe liderët e Ballkanit Perëndimor për perspektivën europianeve të vendeve tona, vijon sot takimi me Krerët e Shteteve të vendeve anëtare të NATO-s, me Presidentin Trump, Kancelaren Merkel, Mbretin e Belgjikës dhe personalitete të tjera”, shkruan ai.
Një ditë pasi i kërkoi kryeministrit Rama t’i bënte vetë ftesë të tërhiqej nga zgjedhjet, duke refuzuar thirrjen e Petro Koçit për të votuar PS-­në, kreu i PDS­ Paskal Milo zhvillon sot një takim me kryetarin e LSI­-së, Petrit Vasili. Zyra e LSI­ bën me dije se: “Kryetari i LSI-së, Z. Vasili në orën 10:00 pret Kryetarin e PDS-së, Z. Paskal Milo tek LSI. Pas takimit ka një konferencë të përbashkët për media”.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka postuar në Facebook, një spot për hapjen e fushatës së PD-së në 27 maj, ora 19:00. Në video PD u thotë qytetarve se pas fitores së parë në cadër, të mblidhen edhe një herë për të arritur fitoren e radhës. “Nisim rrugën drejt fitores vendimtare”, shkruan Basha. PD pritet që brenda ditës së nesërme të zyrtarizojë listën e kandidatëve për deputetë në 12 qarqet e vendit.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, deklaroi se “Kuvendi ka bërë përparime në kuadër të funksionimit të tij, por jemi të ndërgjegjshëm se demokracia në zhvillim që kemi ka nevojë për një Parlament më të fortë”, duke mos harruar të falenderojë BE-në për një projekt financimi për fuqizimin e Kuvendit. Meta deklaroi gjithashtu se i është hapur rrugë punës së Kuvendit për reformën në drejtësi.
Monika Kryemadhi asnjëherë nuk i ka fshehur kritikat e saj ndaj qeverisjes së PS. Ajo u shpreh: “Ne do bëjmë koalicion me kë të na përputhet programi, pavarësisht se jemi parti e qendrës së majtë. PD është më e majtë se PS”. Ndërsa pyetjes nëse e meriton vendi të ketë sërish kryeministër Edi Ramën pas 25 qershorit, Kryemadhi i'u përgjigj shkurt: “Skeptike jam. Vendi ka nevojë për njerëz të përulur dhe jo arrogantë”.
Në platformën e Partisë Socialiste thuhet: “Shqipëria që kemi sot është ende një shtet pa drejtësi. Ne jemi të vendosur ta reformojmë këtë pushtet, drejtësinë, si një nga elementet kyç të shtetbërjes dhe thelbin e një shoqërie demokratike”. Programi është prezantuar pjesërisht në Kongresin e PS-së dhe një nga premtimet është edhe ai për 220 mijë vende të reja pune dhe rritjen e pagës minimale në 30.000 lekë të reja.
Pasi PAA tërhoqi ankimimin e saj për listat shumëemërore, Kolegji Zgjedhor vendosi të shtyjë seancën për ankimimin e Partisë Aleanca Popullore në datën 22 maj. Ky vendim u mor sot paradite, ku Kolegji Zjedhor vendosi të thërrasë 15 partitë që janë rregjistruar për zgjedhjet. Kreu i PAP, Artur Dojaka deklaroi pas seancës se: "Kolegji Zgjedhor duhet të shprehet për ankimimin tonë".
Ka reaguar zyra e Bashkimit Europian për marrëveshjen Rama-Basha. Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin ka përshëndetur sot marrëveshjen që arritën palët politike dhe mbështet plotësisht paketën McAllister Plus. Nëpërmjet një postimi në Twitter, BE uron qeverinë dhe opozitën për marrëveshjen, për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ambasada amerikane ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës. “Bravo popullit shqiptar për durimin dhe besimin e tyre në fuqinë e demokracisë së Shqipërisë. Bravo Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për udhëheqësinë dhe kurajon personale në farkëtimin e kësaj marrëveshjeje. Presim me kënaqësi e padurim zgjedhjet me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike të Shqipërisë”, tha ambasadori Donald Lu.
David McAllister shkruan se është i kënaqur që përpjekjet e tij, të BE-së dhe SHBA-ve i dhanë fund krizës. "Unë jam i kënaqur që përpjekjet dhe ndërmjetësimi i BE dhe SHBA për t'i dhënë fund krizës politike në Shqipëri kanë qenë të suksesshme. Mesazhi kryesor është se zgjidhje të qëndrueshme mund të arrihen kur qeveria dhe opozita kërkojnë dialog të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin", shkruan ai.
Trego më shumë