“Ujku” i dëborës që zbutet nga ngjyrat, njihuni me Tomor Hoxha, kampion i qëndrimit në ujë të akullt dhe dekorues i pallatit më të mirëmbajtur në Korçë.
Ditën rrugica e dekoruar për merak e ledhet e dheut me lule, dhe natën llamburitja e një tende dritash nuk ka sesi mos të tërheqin vëmendjen te pallati me numur 24 në rrugën “Partizani” të lagjes 14 në Korçë.
“E shikon moj, po na filmojnë përsëri” i thotë me sedër të përkëdhelur shoqes një nga gratë e pallatit. Sakaq merr fshesën e nis të pastrojë ca pak gjethe vjeshte të rëna mbi rrugicën e qëndisur si një qilim para pallatit. Ato dhe të gjithë familjet e kësaj banese kolektive e kanë për krenari që jetojnë në pallatin më të mirëmbajtur në Korçë.
Strumbullari i këtyre punëve të mira në komunitet është Tomor Hoxha, ose Tomi siç e njohin në Korçë. Edhe atij i shkëlqejnë sytë nga kënaqësia kur mëson që do të flasë për modelin më të mirë të bashkëjetesës harmonike mes fqinjëve.
“Ideja për deklarimin e rrugicës së pallatit më lindi me synimin që të mos ketë asgjëkund të tillë. Këtë angazhim vullnetar e kam nisur prej 5 vitesh” nis të rrëfejë Tomi.
Në krye të herës së kësaj inisiative qytetare, atij dhe një fqinji të vet ju desh të kultivonin lule, ti shisnin ato te personat që i tregëtojnë për njerëzit që nderojnë të afërmit në varreza, dhe me të ardhurat të blinin bojë për të dekoruar rrugicën e pallatit.
“Ja ndërroj shpesh performancën rrugës që të mos ketë pamje monotone. Por ta lyesh kushton rreth 200 mijë lekë të vjetra” flet për koston e këtij dekorimi Tomor Hoxha.
Nganjëherë e ndihmon edhe shoqëria e gjerë që ka për të mbuluar shpenzimet. Për dekorin me drita natën shprehet falenderues që e ka ndihmuar drejtori i Shërbimeve Publike të bashkisë Korçë Ilir Dinellari.
Tomi thotë se është interesuar në bashki për ndonjë ndihmë institucionale në mirëmbajtjen e pallatit por deri më tani nuk e ka gjetur këtë përkrahje. Sikurse po vonon edhe ndërhyrja për veshjen me sistem kapot të pallateve në këtë pjesë periferike të qytetit, dhe që banorët e presin me shpresë nga bashkia. Atëherë, siç e pretendojnë ata, pallati i tyre do të jetë më i bukuri jo vetëm në Korçë por në të gjithë Shqipërinë.
Tomi ndërkaq po përgatit zbukurimet e tjera për festat e fundvitit. Ai vendos edhe bredhin e festave në hyrje të rrugicës së dekoruar, të cilin e monton dhe e çmonton vetë, e natyrisht i ndryshon pamjen çdo vit.
Siç pret me ngazëllim të shohë sa më të plotësuar dekorimin e pallatit, Tomi dëshiron edhe rënien e dëborës. Është nga të rrallët korçarë, në mos i vetmi që ka pasion ngjitet në mal, por i pa shoqëruar nga të tjerët. Të fut drithërimat në trup kur tregon videot e postuara në Tik-Tok teksa çan dëborën malit pothuajse krejt i zhveshur, dhe po kështu kur çan akullin dhe kridhet gjatë në ujin që të pret si brisk. Tomi pretendon se është kampion i këtij lloj sporti, dhe se është gati të sfidojë atë që njihet si “Tarzani i Kukësit” për qëndrimin më të gjatë në ujë të akullt.
Ky personazh korçar të befason edhe për veshjen prej indiani që ka zgjedhur për tu identifikuar në aventurat e tij të ngjitjes në mal. Me atë është shfaqur sa në bardhësinë e dëborës aq edhe në stadiumin e Korçës ku ze rradhën e parë të tifozave mbështetës të ekipit të Skënderbeut. Aty ku provon të tjera emocione të forta korçari i aventurave të bukura!