Në mëngjesin e sotëm, besimtarët myslimanë të qytetit të Korçës janë mbledhur në sheshin para xhamisë historike “Iljas Bej Mirahori” për të kryer faljen e Namazit të Kurban Bajramit. Ceremonia nisi në orën 06:15 me ligjërata fetare dhe kulmoi në orën 06:45 me faljen e namazit.

Organizatorët kishin marrë të gjitha masat për pritjen e besimtarëve, përfshirë edhe përgatitjen e hapësirës së jashtme të xhamisë për të akomoduar numrin e madh të pjesëmarrësve.

Në mesazhin e tij me rastin e festës, Myftiu i Korçës, H. Ledian Cikalleshi, uroi të gjithë besimtarët e qarkut, duke theksuar rëndësinë shpirtërore dhe simbolikën e sakrificës që sjell Kurban Bajrami. “Le të bëhemi falënderues për mirësitë e Zotit dhe të tregojmë bujari me ata që kanë më pak,” – u shpreh ai, duke përkujtuar shembullin e Profetit Ibrahim dhe nënshtrimin e të birit Ismail ndaj vullnetit hyjnor.

Myftiu theksoi gjithashtu rëndësinë e agjërimit të ditës së Arafatit, e cila përkoi me ditën e sotme, duke shprehur lutjen që Zoti t’ua pranojë sakrificën dhe agjërimin të gjithë besimtarëve.

Për ata që nuk ndodheshin në qytetin e Korçës, falja e Bajramit është zhvilluar në të gjitha xhamitë përkatëse të zonave të tjera.

Ndërkohë, nga ora 10:00 deri në 12:00, në ambientet e Myftinisë së Korçës do të zhvillohet ceremonia e pritjes dhe urimeve, ku qytetarët do të kenë mundësinë të takojnë Myftiun dhe të shkëmbejnë urime festive.

Kjo festë e madhe që bashkon myslimanët anembanë globit, vjen si një moment reflektimi, falënderimi dhe solidariteti. Myftinia e Korçës u bën thirrje të gjithë besimtarëve që Kurban Bajrami të kalojë në harmoni, dashuri dhe ndihmë për njëri-tjetrin.


