Fshati Voskopojë i Korçës është një destinacion i veçantë për turistët vendas dhe të huaj që kërkojnë një përvojë ndryshe. Ky fshat, i njohur për natyrën e tij të bukur, ajrin e pastër dhe trashëgiminë kulturore, ofron mundësi për të vizituar kishat e lashta, rrugët e kalldrëmta dhe shtëpitë tradicionale prej guri.
Turistët e huaj, të orientuar përmes guidave, vizitojnë monumentet e kulturës dhe zonat natyrore, duke përjetuar një përzierje unike të historisë dhe traditës. “Ne vijmë nga Igumenica e Greqisë dhe është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë. Jemi mahnitur nga kishat e Voskopojës dhe plani ynë është të vizitojmë edhe Shën Ilias dhe Manastirin e Shën Prodhromit,” rrëfen një çift turistësh.
Voskopoja ndodhet vetëm 18 kilometra larg qytetit të Korçës dhe ofron infrastrukturë rrugore të përshtatshme për vizitorët. Megjithatë, operatorët turistikë raportojnë se këtë sezon veror ka pasur 15–20% më pak vizitorë se në vitet e kaluara. Shpresat mbeten tek periudha e vjeshtës dhe dimrit, kur fshati zbukurohet nga ngjyrat e arta dhe petku i bardhë i borës, duke tërhequr më shumë turistë.


