Partia Demokratike ka njoftuar se do t’i drejtohet Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të kërkuar hetimin e plotë të procedurës qeveritare që i kalon 88.5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë një subjekti privat, me një tarifë prej 1 euro për kontratë dhe pa garë konkurruese.
Sekretarja për Çështjet e Pronave dhe Luftën kundër Korrupsionit në PD, Endira Bushati, deklaroi se bëhet fjalë për projektin Vlorë TEDA/RAMS Free Zone. Sipas saj, më 11 shkurt 2026, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha kompanisë RAMS Albania sh.p.k. statusin e investitorit strategjik për një projekt me vlerë të deklaruar prej 100 milionë dollarësh, i cili shtrihet në një sipërfaqe totale rreth 158.2 hektarë.
Transferimi i pronës dhe mungesa e garës
Opozita pretendon se vetë vendimi i KIS kishte evidentuar nevojën për përditësimin e hartave kadastrale, saktësimin e kufijve dhe përfundimin e procesit të konsolidimit të tokës përpara se prona shtetërore të transferohej. Megjithatë, sipas denoncimit, vetëm katër muaj më vonë, më 30 qershor, qeveria transferoi në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike një sipërfaqe prej 885,557.6 m², ose rreth 88.5 hektarë pasuri shtetërore në Vlorë.
Më tej, përfaqësuesja e PD-së theksoi se më 30 korrik qeveria e shpalli këtë territor si Zonë të Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik, duke vendosur që pasuria të vihej në dispozicion me tarifën 1 euro për kontratë dhe duke caktuar kompaninë RAMS Albania si zhvillues përmes një procedure jo konkurruese.
Pyetjet e opozitës dhe referimi në SPAK
Përmes kësaj deklarate, Partia Demokratike ngriti disa pyetje themelore drejtuar qeverisë, duke kërkuar të dijë nëse ishin përfunduar verifikimet kadastrale para transferimit, pse prona u dha pa garë, mbi çfarë vlerësimi u caktua tarifa 1 euro, cili është përfitimi i shtetit shqiptar dhe a janë respektuar kushtet e Komitetit të Investimeve Strategjike.
Sipas Bushatit, kjo procedurë bëhet edhe më shqetësuese pasi vetë Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më 9 qershor se ligji për investimet strategjike e kishte përmbushur misionin e tij. Për këto arsye, PD kërkon që SPAK të hetojë të gjithë hapat e kësaj procedure, nga dhënia e statusit strategjik deri te transferimi i pasurisë dhe përzgjedhja e zhvilluesit.
Në përfundim të reagimit, u theksua se pasuria publike nuk është pronë e qeverisë për t’u shpërndarë pa transparencë dhe llogaridhënie. Këto paligjshmëri të pretenduara, sipas opozitës, janë arsyeja pse mijëra shqiptarë protestojnë prej më shumë se 2 muajsh duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.


