Fshati Lavdar i Korçës, i cili ka mbetur me vetëm rreth 20 familje nga 480 shtëpi që numëronte dikur, ka mbledhur në mes të muajit gusht emigrantët për festën e përvitshme, ndërsa kërkesa kryesore e tyre mbetet ndërtimi i rrugës.
Banorët dhe ish-banorët e këtij fshati tregojnë se mungesa e infrastrukturës rrugore, largësia nga qyteti, si dhe mungesa e shkollës dhe shërbimeve bazë, kanë shkaktuar braktisjen masive ndër vite. Megjithatë, festa e fshatit rikthen çdo vit emigrantët nga Australia, Amerika dhe vende të tjera, të cilët shprehin dëshirën për të investuar në vendlindje nëse përmirësohet infrastruktura.
Thirrja për investime nga bashkia
Për të rikthyer jetën në fshat, banorët e shohin rrugën si kushtin e vetëm. “Lutemi Bashkisë, po pati mundësi të bëhet diçka. Kemi qenë fshati më i madh. Banorët, për shkak të rrugës, shkollës dhe largësisë së qytetit, janë larguar. Fëmijët tanë rriten në Australi, Amerikë. Duan të vijnë prapë, të ndërtojnë, por nuk kanë mundësi po nuk u bë rruga. Po u bë rruga, mund të afrohemi prapë në fshat”, shprehet një prej banorëve.
Një tjetër banor thekson se shkatërrimi i fshatit erdhi pikërisht nga izolimi. “Rruga duhet të bëhet. Njerëzit vijnë prapë po qe rruga e rregullt. Bëhen edhe banesat. Nga rruga iku fshati ynë. Ka qenë 480 shtëpi, sot hiç”, thekson ai.
Dëshira e emigrantëve për të rindërtuar Lavdarin
Pavarësisht vështirësive, lidhja e emigrantëve me vendlindjen mbetet e fortë. Gjatë ditëve të festës, ku këngët dhe takimet rikthejnë gjallërinë e dikurshme, një prej tyre shpreh gatishmërinë për të kontribuar: “Së shpejti, siç kemi ndërtuar botën, do sjellim nga një shtëpi në fshatin Lavdar. Vetëm bekimet duan, se duart i kemi vetë.” Për komunitetin e Lavdarit, rruga përfaqëson mundësinë e vetme për të rindërtuar shtëpitë dhe për t’i dhënë fshatit një shans të dytë mbijetese.


