Një pjesë e bizneseve që operojnë në pedonalen e qytetit të Korçës kanë pezulluar shërbimet ndaj klientëve për rreth dy orë, si formë proteste ndaj vendimit të bashkisë për çmontimin e strukturave metalike që, sipas autoriteteve vendore, cenojnë hapësirën publike. Ndërkohë, disa biznese të tjera kanë nisur vetë procesin e çmontimit të këtyre strukturave.
Tre prej përfaqësuesve të bizneseve në këtë zonë – Niko Treska, Endri Bakullati dhe Olsi Xhambello – kanë kërkuar zyrtarisht shtyrjen e afatit për prishjen e këtyre strukturave. Ata argumentojnë se jemi në kulmin e sezonit turistik, dhe ndërhyrjet në këtë periudhë do të ndikojnë negativisht në të ardhurat e tyre.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, në një deklaratë për mediat, u shpreh se gjatë takimeve me grupet e interesit, u është kërkuar respektimi i afatit për heqjen e pedanave, tendave dhe elementëve dekorativë deri më 2 gusht. Sipas Filos, është rënë dakord që përdorimi i çadrave të shtyhet deri më 17 gusht. Pas kësaj date, Bashkia e Korçës do të zbatojë projektin e unifikimit të strukturave për të gjitha bizneset në pedonale.
Aktualisht, në zonën pedonale të qytetit ushtrojnë aktivitetin e tyre mbi 17 subjekte, përfshirë bare, restorante dhe kafene.