Ka vijuar edhe këtë vit censusi i shpendëve dimërues në Liqenin e Pogradecit. Sipas ekspertëve të mjedisit, është konstatuar një rritje e ndjeshme e numrit të shpendëve në brigjet e liqenit, një fenomen që lidhet kryesisht me zhvendosjen e tyre nga Liqeni i Prespës drejt Pogradecit.
Eksperti i mjedisit, profesori Spase Shumka, shprehet se prania dhe qëndrueshmëria e popullsisë së shpendëve varet nga një sërë faktorësh që krijojnë kushte të përshtatshme për jetesën e tyre. Sipas tij, sfidat kryesore mbeten përfundimi i moratoriumit të gjuetisë, si edhe urbanizimi i shpejtë i qytetit të Pogradecit, me ndërtime të larta pranë vijës liqenore, të cilat rrezikojnë habitatet natyrore.
Ndërkohë, specialisti i zonave të mbrojtura Gani Bego thekson se procesi i censusit po zhvillohet paralelisht në të dyja anët e Liqenit të Ohrit. Grupa monitorimi shqiptare dhe maqedonase janë në terren, duke realizuar një vëzhgim të përbashkët të specieve të shpendëve.
Këtë vit, procesit të censusit iu janë bashkuar edhe të rinj nga Pogradeci, të cilët kanë marrë pjesë aktive në monitorimin e shpendëve dimërues, duke ndarë përvojën e tyre në terren dhe duke kontribuar në mbrojtjen e biodiversitetit.
Censusi i shpendëve dimërues zhvillohet prej disa vitesh dhe ka si qëllim monitorimin e popullsisë së specieve të ndryshme në liqenet e Pogradecit dhe të Prespës, duke shërbyer si një tregues i rëndësishëm për gjendjen e biodiversitetit në këto zona të mbrojtura.


