Punimet për rikonstruksionin e sheshit qendror në fshatin Drenovë po shkojnë drejt përfundimit, duke sjellë një pamje të re dhe bashkëkohore në zemrën e komunitetit.
Ky investim, i realizuar nga Bashkia Korçë në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po i jep Drenovës një hapësirë moderne, funksionale dhe mikpritëse. Sheshi është transformuar me trotuare të reja, ndriçim bashkëkohor, hapësira çlodhëse dhe gjelbërim, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për banorët dhe vizitorët.
Projekti synon jo vetëm përmirësimin estetik të qendrës, por edhe rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin vendas. Me këtë ndërhyrje, rikthehet gjallëria dhe dinamika në një nga zonat më të dashura të Bashkisë Korçë, duke forcuar lidhjen mes traditës dhe zhvillimit.
Bashkia Korçë vijon punën çdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të garantuar kushte të denja jetese në çdo lagje dhe çdo fshat të territorit të saj.