Pas emrave legjendarë si Koço Kereku dhe Mishel Çico, çiklisti Edmond Selenica renditet padyshim ndër më të mirët që ka nxjerrë ndonjëherë çiklizmi korçar. Karrierën e tij e nisi në vitin 1975, duke u bërë shpejt një prej shpresave më të mëdha të këtij sporti, ndërsa “zbriti” nga biçikleta në vitin 1989, pas 14 vitesh të mbushura me gara, fitore dhe rekorde personale.
Selenica nuk ishte thjesht një emër i njohur në Korçë, por një figurë e rëndësishme në çiklizmin shqiptar të kohës, duke u renditur në mesin e 10 çiklistëve më të mirë në vend. Si pjesë bazë e ekipit kombëtar, ai ka përfaqësuar Shqipërinë në shumë aktivitete, duke lënë gjurmë në çdo pedalim.
Pasion, disiplinë dhe sakrifica – këto kanë qenë motorët e suksesit të tij, duke e kthyer Edmond Selenicën në një figurë të respektuar e të kujtuar me krenari nga sportdashësit korçarë.