Në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë hapi dyert për një ekspozitë të rrallë, kushtuar botimeve fetare që ruhen prej shekujsh në fondin e tij muzeal.
Ekspozita përfshiu ungjij, libra shërbesash dhe dorëshkrime kishtare, të cilat dikur i përkisnin kishave dhe katedraleve më të rëndësishme të vendit. Për shumë prej këtyre botimeve ishte hera e parë që ekspozoheshin për publikun, duke ofruar një mundësi unike për të njohur vlerat shpirtërore dhe kulturore të qytetit.
Drejtoresha e muzeut, Fjoralba Prifti, bëri me dije se koleksioni përfshinte rreth 25 ungjij, mes të cilëve një vepër e vitit 1737 nga Kisha e Ristozit në Mborje, si dhe botime të dhuruara nga filantropi i njohur Anastas Lakçe. Një tjetër risi ishte Dhiata e Re, e ruajtur fshehurazi nga familja e Ilia Petro Bratkos gjatë periudhës së diktaturës, e cila tani u bë e aksesueshme për publikun.
Interesi për ekspozitën ka qenë i madh, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të ndryshme, studiuesve të trashëgimisë kulturore dhe qytetarëve të Korçës dhe jo vetëm. Vizitorët kanë vlerësuar jo vetëm aspektin fetar dhe historik të botimeve, por edhe historinë e njerëzve përparimtarë që kontribuan në ruajtjen dhe transmetimin e kësaj trashëgimie.
Ekspozita e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar jo vetëm që pasuron ofertën kulturore të qytetit, por ofron një udhëtim në histori, duke sjellë në pah lidhjen e fortë mes trashëgimisë shpirtërore dhe identitetit kulturor të Korçës.