Nga orët e para të mëngjesit, pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës po regjistron një fluks të madh hyrjesh, me qindra mjete që vijnë nga Maqedonia e Veriut drejt Tiranës.
Shumica e qytetarëve janë nisur nga qytete të ndryshme, përfshirë Strugën, Ohri, Kërçovën, Tetovën, Veleshtën dhe shumë qytete të tjera, për t’u bashkuar në protestën që do të zhvillohet më 17 Tetor në kryeqytet.
Motoja e tubimit është: “Liria ka emër – Drejtësi për çlirimtarët.”
Qytetarët synojnë të kërkojnë drejtësi, dinjitet dhe njohjen e së vërtetës së luftës çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar jetën dhe sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
Autoritetet kufitare bëjnë apel për kujdes dhe respektim të rregullave të qarkullimit, ndërsa shtojnë se po punohet për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve dhe për të shkurtuar pritjet në kufi.