Sot në Pogradec u inaugurua “Qendra Multifunksionale për promovim dhe zhvillim të aftësive” dhe “BiblioTech”, një hapësirë e re dhe unike e dedikuar për fëmijët, ku argëtimi, mësimi dhe krijimtaria bashkohen në një ambient të sigurt dhe edukativ.
Qendra, e cila është pjesë e programit EU4SocialCare, u realizua nga Bashkia Pogradec në partneritet me ASDO – Albania Sustainable Development Organization, me mbështetjen e UNICEF dhe World Vision Albania.
Në inaugurim morën pjesë Miha Pezelj, Team Leader për Social Inclusion, Murat Sahin, Përfaqësues i UNICEF Shqipëri, Ilir Xhakolli, Kryetar i Bashkisë Pogradec dhe Ada Ilia, Drejtore Ekzekutive e ASDO.
Qendra ofron një gamë të gjerë aktivitetesh që synojnë zhvillimin e potencialit të fëmijëve:
– Aktivitetet artistike dhe muzikore që nxisin kreativitetin
– Lojëra dhe mësime edukative që forcojnë aftësitë sociale dhe bashkëpunimin
– Hapësira të sigurta për argëtim larg ekraneve dhe teknologjisë
Me hapjen e saj, Pogradeci fiton një hapësirë të re për edukim, zhvillim dhe përfshirje sociale, ku fëmijët mund të rriten me mundësi të barabarta dhe prindërit të ndihen të qetë për mirëqenien e tyre.
“Qendra Multifunksionale për promovim dhe zhvillim të aftësive” është një hap përpara në ndërtimin e një komuniteti më gjithëpërfshirës dhe inovativ për brezat e rinj.