Hirësia e tij, Mitropoliti i Korçës, z. Anastas (Mamaj), lindi në Vlorë, në vitin 1979. Ai kreu studimet në Departamentin e Gjuhës Greke në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Athinës (1999), u diplomua në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe mori diplomë në degën Administrim Biznes (MSc) (2001-2005). Më vonë ndoqi studimet në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” (2017) dhe në Departamentin e Teologjisë dhe Kulturës në Kolegjin Universitar LOGOS, ku mori diplomë (BSc) në Studime Teologjike Sociale dhe Shkenca Fetare (2023).
Në vitet 2005-2009 ka mbajtur poste me rëndësi në Bankën Italo-Shqiptare dhe nga viti 2009 deri në vitin 2017 ka pasur poste drejtuese në Union Bank. Nga viti 2006 deri në vitin 2014 ka qenë anëtar i Këshillit Kleriko-Laik të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Mitropolitit të ndjerë të Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësi Ignatit.
U hirotonis dhjakon më 22 janar 2018 nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas, u hirotonis prift më 20 tetor 2019 dhe mori titullin e Arkimandrit më 9 gusht 2020.
Nga viti 2017 deri më sot kontribuon në administrimin e pasurisë kishtare dhe aktiviteteve ekonomike të Kishës së Shqipërisë. Është Drejtor Ekzekutiv i Institucionit Universitar “LOGOS”, përfaqësues i Kryepiskopit në Këshillin Ekzekutiv dhe anëtar i Këshillit Administrativ të Fondacionit “Klinika Orthodhokse Ungjillëzimi”. Gjithashtu, është këshilltar në Institucionin Arsimor “Frymë Dashurie” dhe nga data 3 dhjetor shërben si Protosingjel i Kryepiskopatës së Tiranës dhe Durrësit. Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën greke dhe italiane.