Në kuadër të Javës Franceze në Korçë, Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, mirëpriti homologun e tij francez, Thierry Repentin, Kryetar i Bashkisë së Chambery-së, si dhe Ambasadoren e Francës në Shqipëri, znj. Catherine Suard.
Vizita zyrtare erdhi si një hap tjetër drejt forcimit të marrëdhënieve mes dy qyteteve tashmë të binjakëzuara. Në fokus ishte zgjerimi i bashkëpunimit konkret dhe shkëmbimet kulturore me vlera të qëndrueshme mes komuniteteve.
Gjatë vizitës, të ftuarit ndoqën nga afër një program të pasur artistik që përfshiu ekspozita, instalacione digjitale, performanca dhe muzikë bashkëkohore, duke shndërruar Korçën në një skenë të gjallë të artit europian dhe dialogut ndërkulturor.
Sipas Kryetarit Filo, kultura është ura më e bukur që lidh qytetet dhe komunitetet, ndërsa Korça vazhdon të mbetet një qytet mikpritës, energjik dhe gjithmonë i hapur ndaj iniciativave që e pasurojnë dhe e bëjnë pjesë të dinamikës kulturore ndërkombëtare.