Këshilltari i pavarur në Këshillin Bashkiak të Korçës, Klajdi Pllaha, ka ngritur shqetësimin për gjendjen e disa godinave të amortizuara në qytet, të cilat sipas tij përbëjnë rrezik serioz për komunitetin.
“Në këtë periudhë aksionesh nga IKMT më lind një pyetje: a nuk duhet shteti (IKMT / Bashkia) të ndërhyjë në godinat e amortizuara që përbëjnë rrezik për qytetarët?”, shkruan Pllaha.
Ai thekson se këto godina, edhe pse private, në momentin që kthehen në kërcënim për fëmijët që luajnë pranë tyre, kalimtarët apo makinat e parkuara poshtë, “nuk mund të lihen më në këtë gjendje”.
Pllaha ngre shqetësimin edhe për aspektin shëndetësor dhe urbanistik. “Pa folur për papastërtinë që grumbullohet, rrezikun për infeksione apo edhe për prishjen e imazhit të qytetit”, nënvizon ai.
Sipas këshilltarit, nëse pronarët i kanë braktisur godinat dhe nuk kanë mundësi të ndërhyjnë, atëherë përgjegjësinë duhet ta marrë shteti. “Në rastin më të lirë duke ndërhyrë për prishjen, ose pse jo, duke menduar edhe restaurimin me fonde publike dhe shfrytëzim të përkohshëm nga Bashkia për interes publik. Një lloj PPP-je ‘inverse’”, propozon Pllaha.
Ai e mbyll thirrjen e tij me mesazhin se mbi çdo gjë tjetër duhet të vendoset siguria e qytetarëve: “Në çdo rast, siguria e komunitetit duhet të prevalojë mbi gjithçka tjetër.”