Në fshatin Kolanec vijojnë me ritëm punimet për përmirësimin e rrugës. Aktualisht po kryhet pastrimi i kanaleve anësore, shtrimi i shtresave të makadamit dhe nivelimi i bazamentit, duke hedhur bazat për një infrastrukturë më funksionale.
Ky investim nuk ka rëndësi vetëm për lëvizjen e përditshme të banorëve, por edhe për zhvillimin e turizmit në zonë. Kolaneci njihet për natyrën e tij të bukur, traditat dhe mikpritjen karakteristike, ndaj rrugët e përmirësuara do të lehtësojnë aksesin për vizitorët që zgjedhin ta eksplorojnë këtë destinacion turistik.
Punimet do të vijojnë me fazat e tjera deri në përfundimin e plotë të projektit, duke e shndërruar rrugën në një urë lidhëse mes komunitetit vendas dhe mundësive të reja turistike.