Korça po hedh hapa të rëndësishëm drejt turizmit të qëndrueshëm, duke ndjekur modelet më të suksesshme të turizmit të gjelbër në Europë. Zyra e Turizmit e Bashkisë Korçë mori pjesë në një vizitë studimore në Lubjanë dhe Bohinj, Slloveni, për të mësuar mbi praktikat që e kanë kthyer këtë vend në një destinacion të njohur për zhvillim të përgjegjshëm.
Përfshirja e komunitetit, bashkëpunimi me bizneset dhe vendosja e standardeve të qëndrueshmërisë janë elementët kryesorë që Korça synon të përshtasë për ta bërë turizmin një motor zhvillimi afatgjatë.
Si Bashki, synimi është të forcohet menaxhimi i destinacionit turistik, duke garantuar zhvillim në harmoni me mjedisin, kulturën dhe traditat vendase.
Korça ka të gjitha mundësitë për t’u kthyer në një shembull të turizmit të gjelbër në Shqipëri, një qytet që jo vetëm mirëpret vizitorë, por edhe mbron natyrën dhe trashëgiminë e vet të çmuar.