Korça po përjeton një fluks të lartë turistësh gjatë festave të fundvitit, duke u kthyer në një nga destinacionet më të frekuentuara në vend. Nga data 25 Dhjetor deri më 4 Janar, qyteti juglindor është shndërruar në kryeqytetin e festave, fakt që konfirmohet edhe nga shifrat e sektorit të hoteleri-turizmit.
Sipas të dhënave, mbi 98% e hoteleve në Korçë, Voskopojë, Dardhë, Boboshticë, Vithkuq dhe fshatrat e tjerë turistikë të zonës janë të rezervuar. Ndërkohë, platforma “Booking” raporton se mbi 6 mijë shtretër janë prenotuar për këtë periudhë festive.
Rritja e ndjeshme e vizitorëve ka sjellë edhe trafik të rënduar në akset hyrëse të juglindjes, situatë e ndikuar edhe nga rikthimi i emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Bashkia e Korçës ka kontribuar në këtë atmosferë festive përmes një kalendari të pasur aktivitetesh kulturore dhe artistike gjatë gjithë muajit Dhjetor. Në teatrin “Andon Zako Çajupi” janë organizuar koncerte të orkestrës simfonike, muzikali “Katedralja”, performanca të korit “Acapella”, Korit Lira, ndërsa festimet janë finalizuar me spektaklin e fishekzjarrëve në qendër të qytetit.
Burime jozyrtare pranë Bashkisë Korçë bëjnë me dije se, bazuar në një përllogaritje mesatare, qyteti mirëpret rreth 4 mijë vizitorë çdo ditë gjatë kësaj periudhe festive.


