Korça po e ndërton me vizion dhe bashkëpunim të qëndrueshëm suksesin e saj turistik.
Gjatë takimit me Drejtoren e Përgjithshme të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, znj. Zana Çela, u zhvillua një analizë e hollësishme e sezonit turistik 2025, ku Korça u veçua si një model i qasjes “All Senses” në planifikimin dhe organizimin e eventeve.
Kjo filozofi ka bërë që qyteti të ofrojë përvoja të plota për vizitorët, duke ndërthurur artin, gastronominë, natyrën dhe mikpritjen korçare në një përjetim të vetëm autentik.
Nëpërmjet eventeve të kategorisë Art-Fest, si dhe shtrirjes së aktiviteteve edhe në fshatrat turistike përreth, Korça është renditur ndër 5 bashkitë me më shumë evente në vend gjatë sezonit turistik 2025.
Gjatë këtij takimi përfaqësues të pushtetit vendor kanë shprehur një falënderim të veçantë për Agjencinë Kombëtare të Turizmit dhe Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për mbështetjen e vazhdueshme në promovimin digjital të Korçës në tregjet ndërkombëtare.
Sipas tyre ky bashkëpunim po e forcon turizmin si një shtyllë të rëndësishme të zhvillimit lokal, duke e kthyer Korçën në një destinacion që frymon kulturë, art dhe ndjesi të plotë mikpritjeje.


