Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në një lagje pranë spitalit rajonal të Korçës, ku një 60-vjeçar është gjetur i pajetë pranë hyrjes së banesës së tij.
Sipas burimeve paraprake, viktima ishte në kthim për në shtëpi kur ka rënë pa ndjenja në shkallët e pallatit. Bashkëshortja dhe djali i tij ishin të parët që e gjetën në gjendje të rëndë dhe njoftuan menjëherë Policinë dhe urgjencën.
Burime nga familjarët bëjnë me dije se i ndjeri vuante nga tensioni i lartë i gjakut, por shkaqet e sakta të vdekjes mbeten të paqarta. Trupi është transportuar në morgun e spitalit rajonal, ku ekspertiza mjeko-ligjore pritet të përcaktojë shkakun përfundimtar të ndarjes nga jeta.
Policia ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, ndërsa familjarët janë në pritje të rezultateve zyrtare.