Pas një hetimi disa javor me metoda proaktive, është finalizuar operacioni policor i koduar “Cross Border”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Devoll.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi J. B., 46 vjeç, banues në Korçë, i cili transportonte me automjet, dyshohet drejt kufirit me Greqinë, 16 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi D. M., 37 vjeç, banues në Korçë, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit në fshatin Vishocicë, Devoll, në bagazhin e automjetit që drejtohej nga 46-vjeçari, shërbimet e Policisë gjetën një çantë sportive me 15 pako të mbështjella me natriban, me peshë totale 16 kilogramë lëndë narkotike kanabis.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, automjeti me të cilin po transportohej si dhe një telefon celular.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy personat do ta trafikonin lëndën narkotike drejt Greqisë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


