Edhe në qarkun e Korçës ka nisur zbatimi i vendimit për ndalimin e qarkullimit të monopatinave elektrike. Gjatë ditës së sotme, shërbimet e Policisë Rrugore kanë sekuestruar tre mjete të tilla në qytetin e Korçës dhe në Pogradec, pasi u konstatuan duke qarkulluar në kundërshtim me vendimin e marrë.
Vendimi i Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, vjen pas rritjes së ndjeshme të numrit të aksidenteve të shkaktuara nga përdorimi i këtyre mjeteve në hapësirat rrugore.
Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, rastet e sekuestrimit janë evidentuar gjatë kontrolleve të shtuara në rrugët urbane, me qëllim parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas autoriteteve, ndalimi do të mbetet në fuqi deri në miratimin e një ligji të posaçëm që do të rregullojë përdorimin e mjeteve elektrike, ku parashikohen masa sigurie si përdorimi i kaskave, vendosja e sinjalistikës përkatëse dhe përcaktimi i kufizimeve të moshës për përdoruesit.