Çdo 19 gusht, bota feston Ditën Botërore të Fotografisë, një datë që i kushtohet këtij arti të fuqishëm dhe historisë së tij, duke përkujtuar fotografë e mjeshtra që i dhanë dritë e frymëzim brezave të tërë. Mes tyre, një emër me origjinë shqiptare ka hyrë në historinë botërore të fotografisë – Gjon Mili.
I lindur në Korçë më 1904, Mili u bë i famshëm në Shtetet e Bashkuara si pionier i përdorimit të dritës dhe teknikës stroboskopike në fotografi. Ai theu kufijtë tradicionalë të artit fotografik, duke sjellë imazhe që kapnin lëvizjen, energjinë dhe emocionin, si portretet e Hitchcock, Stravinskit, Frank Sinatrës, apo fotot e paharrueshme të Pablo Picassos, mes tyre edhe e famshmja “Pikaso duke vizatuar me dritë”. Për më shumë se 15 vjet, Mili punoi si fotoreporter për revistën prestigjioze “Life”, duke e kthyer fotografinë në një gjuhë universale të emocioneve dhe ideve.
Korça, qyteti i tij i lindjes, i ka kushtuar një muze të posaçëm, ku pasqyrohet rrugëtimi dhe krijimtaria e mjeshtrit që i dha artit botëror një dimension të ri. Muzeu i Gjon Milit në Korçë është sot një pikë referimi për vizitorë, artistë dhe dashamirës të fotografisë, të cilët në këtë ditë kanë edhe një arsye më shumë për ta vizituar.
Në Ditën Botërore të Fotografisë, kujtimi i Gjon Milit vjen si dëshmi se një shqiptar arriti të lërë gjurmë të pashlyeshme në artin e imazhit, duke i dhënë asaj që sot njihet si “fotografia e lëvizjes” një vend të merituar në historinë botërore të artit.