Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë zhvilloi sot një marshim sensibilizues, me qëllim ndërgjegjësimin e opinionit publik për të drejtat, pavarësinë dhe dinjitetin e personave të verbër.
Kjo ditë, që njihet si simbol i lëvizjes së lirë dhe i barazisë, shërben si thirrje për reflektim mbi nevojën për një shoqëri më të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Në deklaratën e saj, Shoqata thekson se komuniteti i të verbërve në Shqipëri përballet prej më shumë se një dekade me mungesë të theksuar mbështetjeje institucionale. Sipas saj, që nga viti 2014 nuk janë ofruar më shërbime publike të specializuara për rehabilitim, arsimim të përshtatur, orientim dhe lëvizshmëri, punësim të asistuar apo mbështetje teknike — në kundërshtim me detyrimet ligjore dhe Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.
Shoqata e të Verbërve i drejtohet qeverisë shqiptare me disa kërkesa konkrete:
- rikthimin e shërbimeve të specializuara publike për personat e verbër;
- rritjen e pagesave për shkak të verbërisë, të cilat nuk janë ndryshuar realisht që prej vitit 2009;
- dhe vendosjen e një skeme të detyrueshme ndihme ekonomike për personat e verbër të papunësuar.
Në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, Shoqata kërkon që shteti të garantojë një mbështetje të drejtë dhe të përditësuar për këtë kategori qytetarësh.
“Shkopi i bardhë nuk është simbol varësie, por pavarësie dhe dinjiteti njerëzor,” – thekson presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, Jonit Ferhati, duke shtuar se personat e verbër nuk kërkojnë mëshirë, por respekt, akses dhe të drejta të barabarta në arsim, punë dhe jetën publike.