Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka shprehur publikisht falënderim dhe vlerësim për Erjon Nexhipin, në përfundim të detyrës së tij si Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.
Peleshi kujtoi njohjen e hershme me Nexhipin që në kohën e studimeve, duke e cilësuar atë si një të ri që spikaste për përkushtimin dhe ambicien për të kërkuar gjithmonë më shumë nga vetja dhe shoqëria.
“Erjoni i ka shërbyer Korçës me përkushtim, kreativitet dhe integritet. Ka qenë bashkëpunëtor i çmuar me të cilin kam ndarë ide dhe sfida për Korçën dhe Shqipërinë përgjatë më shumë se 25 viteve. Për këtë meriton respekt dhe falënderim,” u shpreh Peleshi.
Në fjalën e tij, Peleshi vlerësoi edhe rolin e Nexhipit si bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve, duke theksuar se përgjegjësitë e shumta shpesh sjellin kompromis mes karrierës dhe kohës me familjen.
“Erjoni do të na mungojë, por shpresoj jo për shumë kohë. Do të ketë gjithmonë respektin dhe vlerësimin tim të veçantë,” përfundoi Peleshi.