Në qytetin e Korçës ka nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike që janë zënë në mënyrë të paligjshme nga qytetarë të ndryshëm, përmes ndërtimesh pa leje apo rrethimeve të improvizuara.
Fokusi i këtij aksioni janë ndërtimet në katet e para të pallateve, si dhe ndërtesa të vogla të ngritura në mënyrë të paligjshme në trotuare apo hapësira të përbashkëta. Aksioni është ndërmarrë nga Policia Bashkiake, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të bashkisë.
Ndërhyrjet kanë nisur nga rruga “Partizani”, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, dhe do të vijojnë në të gjithë territorin urban ku janë konstatuar uzurpime të hapësirave publike.
Qytetarët e prekur nga prishjet, por edhe banorë të tjerë të lagjeve përreth, në ditën e parë të aksionit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, duke mos qenë dakord me mënyrën e ndërhyrjes. Megjithatë, autoritetet theksojnë se aksioni synon rikthimin e hapësirave të përbashkëta për komunitetin dhe zbatimin e ligjit.
Lirimi i trotuareve, oborreve përreth pallateve dhe parqeve publike është një ndër prioritetet e nismës për rritjen e cilësisë së jetës urbane në qytetin e Korçës.