Në librin “Shqipëria në vitin 1921“, të diplomatit francez Justin Godart, është botuar një pjesë ditari nga një dëshmitar i ngjarjeve të ndodhura në periudhën gusht 1919-maj 1920 në kufirin shqiptaro-grek:
***
25 gusht 1919 – Qarkullon lajmi që grekët do pushtojnë Korçën.
9 shtator 1919 – Në çdo rast, në qoftë se grekët do të pushtojnë Korçën, do të sulmohen vazhdimisht nga shqiptarët. Janë formuar çeta, njëra nga të cilat është e fortë me 1500 burra, dhe e komanduar nga Sali Butka, që presin ardhjen e grekëve për t’i sulmuar.
24, 25 dhe 26 maj 1920 – Mobilizimi i përgjithshëm në të gjitha zonat kufitare. Fshatarët e Verçës dhe të Gorës shkojnë në masë drejt kufirit grek të organizuar në çeta dhe të armatosur. Sali Butka, afër kufirit, pret ardhjen e grekëve me një batalion për t’u futur në zonën franceze dhe për të filluar luftimet. Transporte të shumta municionesh, natën, në malet sipër Pirgut. Çetat kalojnë Devollin dhe i afrohen kufirit. Gjithçka është gati për një rezistencë të furishme. Zvarishti i Selca-Gorës niset me 50 burra për në Korçë. Gegët kalojnë me kuajt e tyre në drejtim të Korçës.
27 maj, ora 20.00 – Të shtënat e para janë shkëmbyer në Kapshticë midis shqiptarëve dhe grekëve. Grekët nuk e kanë kaluar akoma kufirin.”