Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur situatën e krijuar nga zjarret në Evropë si një emergjencë shëndetësore.
Sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike, që po shkaktojnë temperatura më të larta dhe kushte më të thata, të kombinuara me urbanizimin e shpejtë të zonave rurale, po bëjnë që sezoni i zjarreve të nisë më herët dhe të zgjasë më shumë se zakonisht. Ngjarjet po shënojnë rekorde për nga sipërfaqja e djegur, kohëzgjatja dhe intensiteti, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve.
OBSH paralajmëron se zjarret në pyje kanë pasoja të rënda si për mjedisin ashtu edhe për shëndetin. Tymi i tyre mund të shkaktojë irritim të syve dhe mushkërive, vështirësi në frymëmarrje, përkeqësim të astmës dhe, në rastet më të rënda, vdekje të parakohshme. Po ashtu, hiri përmban ndotës të rrezikshëm si PM2.5, NO₂, ozon, hidrokarbure aromatike dhe plumb, të cilët ndotin ajrin dhe përbëjnë rrezik serioz për shëndetin publik.
Përveç ndikimit në shëndet, zjarret çlirojnë sasi të mëdha dioksidi karboni dhe gazrash serrë, duke kontribuar në përkeqësimin e ndryshimeve klimatike. Ato mund të paralizojnë jetën e përditshme duke ndërprerë transportin, furnizimin me ujë dhe energjinë elektrike.
Përballë kësaj krize në rritje, OBSH u bën thirrje qeverive, komuniteteve dhe qytetarëve të marrin masa të menjëhershme për të zvogëluar rreziqet dhe për të mbrojtur shëndetin publik.