Pazari i Vjetër i Korçës është zgjuar këtë mëngjes i çliruar nga çdo element shtesë ndërtimor, falë një procesi të ndërgjegjshëm nga vetë pronarët e bizneseve që operojnë në këtë zonë historike mbi 250-vjeçare.
Strukturat metalike rrethuese dhe shtesat e tjera të shtuara ndër vite janë hequr plotësisht, duke i rikthyer ndërtesave origjinalitetin dhe uniformitetin arkitektonik që e bën këtë hapësirë të dallueshme në juglindje të Shqipërisë.
Ky veprim u realizua pa nevojën e ndërhyrjes së forcave inspektuese dhe tregon përkushtimin e komunitetit të biznesit për të ruajtur autenticitetin dhe identitetin historik të Pazarit të Vjetër – një nga atraksionet më të vizituara kulturore e turistike të qytetit të Korçës.