Policia e Pogradecit ka vënë në pranga dy 16-vjeçarë, të identifikuar si M. K. dhe J. H., pas hetimeve që çuan në zbardhjen e një ngjarjeje të ndodhur në maj të këtij viti, kur u qëllua me armë zjarri në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, në lagjen nr. 1 të qytetit.
Gjatë operacionit, në banesën e njërit prej të miturve, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një dorezë metalike (përforcues grushti), municion luftarak dhe një gëzhojë arme zjarri model 56. Hetimet zbuluan se autorët kishin fshehur një armë automatike kallashnikov në një varr në varrezat e qytetit.
Njëri prej të miturve rezulton i proceduar më parë për plagosje me thikë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Dhunimi i varreve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Policia e Shtetit thekson se do të vijojë punën me përkushtim e vendosmëri për parandalimin dhe goditjen e çdo forme kriminaliteti, në shërbim të qytetarëve.