Nesër, në orën 17:00, pallati i sportit “Arefi Berberi” në Pogradec do të jetë skena e një prej ndeshjeve më interesante të këtij fillimsezoni në volejbollin shqiptar për femra. Përballja Pogradeci – Dinamo pritet me shumë interes, jo vetëm për rivalitetin tradicional mes dy skuadrave, por edhe për faktin se të dyja janë pretendente serioze për titullin kampion.
Skuadra liqenore, që deri më tani ka zhvilluar një kampionat të shkëlqyer, vjen në këtë sfidë pas disa fitoreve bindëse ndaj Teutës, Skënderbeut, Korabit dhe Vllaznisë. Atmosfera në ekip është pozitive, ndërsa mbështetja e tifozëve pritet të jetë e zjarrtë në shkallët e pallatit te sportit.
Nga ana tjetër, Dinamo mbetet një emër i madh në volejbollin shqiptar, me traditë dhe përvojë të gjatë në ndeshje të mëdha. Ekipi kryeqytetas kërkon të ndalë hovin e pogradecareve dhe të rikthehet fuqishëm në garën për kreun e renditjes.
Të gjitha parashikimet flasin për një përballje të ekuilibruar, me shumë intensitet, emocione dhe nivel teknik të lartë. Ndeshja do të jetë një test i vërtetë për ambiciet e të dy skuadrave në garën për titullin kampion të këtij sezoni.
Atmosferë, pasion dhe volejboll cilësor Pogradeci–Dinamo, një ndeshje që nuk duhet humbur!