Në Pogradec u ngrit sipari i edicionit të 15-të të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë dhe simbol të qytetit.
Ky event zhvillohet nga 16 deri më 20 shtator, duke sjellë për artdashësit një program të pasur me 50 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit, të cilët do të shfaqen falas për publikun në dy ambiente të dedikuara.
Ideatorët dhe organizatorët e festivalit, Eno Melkani dhe Gerta Qurku, ndanë emocionet e këtij rrugëtimi 15-vjeçar, që ka bërë të mundur ngritjen e Pogradecit në një qendër kulturore të rëndësishme. Ata kujtuan gjithashtu edhe kontributin e figurave të mëdha të artit shqiptar, mes tyre edhe një prej themeluesve të festivalit, Fatos Baxhaku, i cili nuk jeton më.
Në natën e parë, pas shfaqjes së filmit bullgar “Because I love bad weather”, atmosferën e gjallëroi koncerti i Niki’Band, ku solisti Niki Zaimi shprehu emocionet dhe privilegjin e të qenit pjesë e hapjes së këtij festivali madhështor.
Festivali do të vazhdojë për katër netë me radhë, duke sjellë filma konkurrues edhe nga Shqipëria, si dhe duke ofruar një hapësirë unike ku arti dhe kulinaria ballkanike ndërthuren për të sjellë një përvojë të paharrueshme për publikun.